Arti Dhe Kultura - Per Prizrenin | Visit Prizren

Arti dhe Kultura

Rajoni i Jugut, e sidomos Prizreni, ka një histori të mahnitshme të zejeve tradicionale.

Duke qenë një qytet ku janë gërshetuar, ndër shekuj, kultura e religjione, natyrisht edhe punët artizanale kanë zënë një vend të rëndësishëm në jetët e banorëve dhe po ashtu kanë pasur një zhvillim të madh.

Duhet të veçohet patjetër zeja e filigranit, më e përhapura, më e njohura dhe pothuajse e vetmja që ka vazhduar të mbijetojë edhe sot e kësaj dite, bile duke mbetur si një prej aktiviteteve artizanale më atraktive dhe të dobishme për banorët e vendit.

Për këtë guidë janë përzgjedhur të përfshihen vetëm disa prej zejeve tradicionale më të njohura dhe më të përhapura, si lojërat më të rëndësishme.

Sa u përket festivaleve, ato tashmë kanë arritur të zënë një vend të pamohueshëm në kulturën e tërë vendit.
Ato prekin fusha të ndryshme të artit dhe janë një mundësi qoftë për zhvillimin e artit në vend, qoftë për të tërhequr turistë dhe për t’i bërë ata ta njohin dhe të kënaqen me kulturën e vendit. mbi të gjitha, duhet veçuar këtu Doku-Festin, si njërin ndër festivalet më të rëndësishme dhe më të njohura të Prizrenit dhe në të vërtetë të tërë Kosovës, në të cilin vazhdojnë të marrin pjesë me filmat e tyre konkurrentë nga e mbarë bota.

Përveç këtyre, kjo guidë ofron edhe adresa të sakta se ku dhe si ta shijoni jetën e natës në qytet dhe informata të rëndësishme të cilat ju nevojiten për sa kohë jeni këtu.

Filigran Filigran

Është një nga veprimtaritë më të vjetra në Kosovë, me prejardhje nga shekulli XV dhe që gjendet më së shumti në qytet, pra në Prizren. Përveç artizanalëve individualë që punojnë në shtëpitë e tyre, nga viti 1947 u themelua fabrika me mbi 100 punonjës, duke prodhuar prodhimet e filigranëve për gjithë tregun e ish-Jugosllavisë. “Filigrani” prodhon artikuj të ndryshëm bizhuterish si: unaza, rrathë, zinxhirë etj, por edhe sende tjera tërheqëse të prodhuar kryesisht nga argjendi, si anije dhe artikuj tjerë dekorativë.

Bojaxhinjtë Bojaxhinjtë

Me vegla dore kanë ngjyrosur fijet e mëndafshit, të leshit e pambukut, si dhe pëlhurat e qepura për veshje dhe për pajisjet shtëpiake. Me këtë zeje janë marrë edhe gajtanxhinjtë, terzinjtë, mëndafshpunuesit.

Mafesaxhinjtë Mafesaxhinjtë

Ka filluar të ushtrohet në shek. XX. Me vegla dore janë krijuar mafes të dizajnëve të ndryshme dhe me dedikime të ndryshme. Veprimet e ustallarëve të këtij zanati kryhen në tavolinën e mbuluar me batanije, ku me anë të kallëpit shtypen dizajnët e ndryshme në mafes e shami, me anë të një procedure të veçantë e precize. Veprat e krijuara kryesisht iu shërbejnë grave, që i vendosin ato në kokë në përditshmëri dhe ceremoni festive, ndërkohë që nga to mund të dallohet edhe prejardhja gjeografike e grave të rajonit të Prizrenit.

Qyrktarët Qyrktarët

Lëkura e përpunuar, duke u matur me pëllëmbë, pritej me brisk të mprehtë, ndërsa qepja bëhej me gjilpërë speciale trekëndëshe, me pe të dyfishuar “izmir”, pasi që në mes të tegerit vihej një shirit nga lëkura. Për trajtësimin e kësulës prej gëzofit është përdorur shablloni prej drurit. Janë prodhuar kësulat e ndryshme, gunat me mëngë ose pa to, qyrqet për të rritur e fëmijë, guna të mëdha për barinj - lipovas, qyrqe si shtesa të palltove, dorëza me gishtërinj, me një gisht ose pa to, shputa për fshatarët e pylltarët, postiqe.

Kazazët – mëndafshpunuesit Kazazët – mëndafshpunuesit

Me këtë veprimtari janë marrë kryesisht femrat, të të gjitha konfesioneve derisa shitja kryhej nga meshkujt nëpër dyqane e tregje. Janë krijuar: pëlhura të mëndafshit; pëlhura të pyryngjykut; mbulesa djepi e tavoline; vello (duvakë) nusesh; shokë tarabullus; dysheme (çarçafë të grave katolike për shëtitje); riza çutura, të stolisur me tirë për rastet e fejesave dhe për të ftuar në gazmende; skutaçe e përparëse me yrnekë të ndryshëm, veçmas vislake me lule të rreshtuara: lale, trëndafila, zambakë, karajfile; bohçe të bardha; çarçafë për varrimin e të krishterëve: shalle për bel tarabullus, të thjeshtë ose të zbukuruar.

Jastëkxhinjtë Jastëkxhinjtë

Jastëkët, që quheshin kallëp, mbusheshin me kashtë dhe qepeshin në kanavacë me mjeshtëri dhe vendoseshin mbi mindere ose shilte. Shiltet ishin më të holla, nga i njëjti material, por këto shpesh mbusheshin me lesh ose pambuk. Mbi këto objekte shtroheshin pëlhurat e zgjedhura, kryesisht nga sateni, të qëndisura me mjeshtëri të veçantë me fije ari ose argjendi. Mbulesat më të përhapura kanë qenë paftat e bardha (jajgi), të zbukuruara në skaje me penj të thurur (tentene). Këto vendoseshin edhe në hajate e çardakë, gjithnjë me një shtrirje të perfeksionuar.

Kallajxhinjtë Kallajxhinjtë

Kryesisht me vegla dore, krijuan pajisje shtëpiake, si: kazanë, harani e kusi, gjygymë, ibrikë, fultere, tepsi, sini, sahanë me kapakë, tasa për çorbë, poçe për shkrirjen e tëlyenit, xhezve, lëngjerë për pilaf, aski (ripllastik) për salep me furrë ose pa të, safër-tas për mbajtjen e gjellëve, mangaj, lambikë për pjekjen e rakisë.

Gajtanxhinjtë Gajtanxhinjtë

Kanë përdredhur shirit ose gjalma prej fijeve të mëndafshit, argjendit apo arit për hijeshimin e veshjeve. Nga gajtanët bënin edhe mbërthecka (pulla) për jelekë, xhamadanë e qostekë, tufa për kapuç e tespihe etj. Për tepet e nuseve dhe për tirq janë bërë përdredhje të veçanta. Shumica e gajtanxhinjve bënin edhe ngjyrosjen e materialit nga mëndafshi, pambuku etj. duke përdorur shumë kusi sipas ngjyrave të nevojshme. Në fillim u përdorën ngjyrat natyrore e pastaj ato nga importi, siç vepruan edhe bojaxhinjtë.

Shajakpunuesit Shajakpunuesit

Me gjilpëra e gërshërë, kanë prerë dhe qepur prej shajakut jelekë për burra, gjunjakë, guna me mëngë të gjata ose të shkurtra, guna me jakë katrore që bëhej kapulaqe sipas nevojës, tirq të qëndisur me gajtanë, me tri ose më shumë rende, varësisht nga nahija. Tirqit ishin zakonisht nga shajaku i bardhë natyror, siç ishte leshi, ndërsa krijimet e tjera i bënin me ngjyrë të zezë ose të përhimët. Gajtanët kishin ngjyrë të zezë, kështu që dominonte ngjyra e bardhë, e zeza dhe ajo galmë.

Argjendaria Argjendaria

Në shek. XIX-XX punimet bëheshin kryesisht prej ari dhe argjendi të larë me ar, ndërsa të tjerat ishin prej mesingu, bakri e bronzi. Byzylykët e mbyllur me disa rende zinxhirësh dhe disa lloje pafta brezi janë punuar në shek. XVIII-XIX. Qostekët për orë të burrave, stolitë e kokës takëmi me aski, unazat, byzylykët prej një e më shumë pjesësh dhe kornizat e pasqyrave janë të fundit të shek. XIX e të fillimit të shek. XX. Punimet më të reja janë zinxhirët e burrave, vathët, qaforet e grave, byzylykët njëpjesësh, dypjesësh e shumëpjesësh të tipit të mbyllur, broshët dhe brezat e argjendta filigranësh dhe byzylykët e brezat fishekli. Sot argjendarët punojnë modele të reja prej ari e argjendi, në përshtatje me kërkesat e reja të blerësve. Veç shitoreve private, prodhimet e argjendarisë punohen edhe në fabrikën ‘Filigrani’.

Gara e Pehlivanëve Gara e Pehlivanëve

Garat tradicionale të pehlivanëve organizohen çdo vit në Dragash ( Sharr ).
Kjo formë e mundjes në këtë trevë ka mbetur nga sundimi i turqve dhe mërgimi i popullsisë në vende të ndryshme të botës.Kjo formë e garës organizohej për festa fetare e gazmende familjare (syneti e dasma).