Rreth Prizrenit | Visit Prizren

Rreth Prizrenit

Falë pozitës së favorshme gjeografike, gërshetimit harmonik të këtyre kulturave gjatë historisë dhe një numri të lakmueshëm të monumenteve të të gjitha kohërave, Prizreni me plot të drejtë mban epitetin “Qytet muze”, ”Muzeu nën qiellin e hapur” apo edhe të “Dubrovniku i Ballkanit”, për t’u radhitur si njëri ndër qytetet më të bukura të Kosovës.

I vendosur rrëzë maleve të Sharrit, (të shpallura “Park Nacional”), në të dy brigjet e Lumëbardhit dhe në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare mes lindjes dhe perëndimit, Prizreni, gjatë historisë ishte i njohur si qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike e diplomatike.

Prizreni padyshim është një prej vendbanimeve më të rëndësishme të Kosovës.

Ai ka një të kaluar të bujshme që ka zgjuar kurreshtjën e udhëpërshkruesve, historianëve, gjeografëve e shkencëtarëve të ndryshëm, të cilët botuan shumë vepra për këtë trevë të njohur administrative kulturore, historike, politike, etj.

Treva e Prizrenit është e banuar prej kohësh të lashta dhe ruan dëshmi e monumente arkeologjike nga koha e neolitit, eneolitit, bronzit, hekurit, antikitetit e këtej.

Kjo dëshmohet nga artefaktet e shumta të zbuluara me rastin e gërmimeve arkeologjike, të bëra në një varg lokalitetesh.

Të dhënat arkeologjike dëshmojnë se Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë.

Komuna e Prizrenit me sipërfaqe prej 640 km katrorë (5.94% e territorit të Kosovës) gjendet në jugperëndim të Kosovës me 74 vendbanime dhe me rreth 175,000 banorë.

Kufizohet me komunën e Gjakovës, të Rahovecit, të Suharekës, të Shtërpces, të Dragashit, të Mamushës si dhe me shtetet fqinje Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Rrafshi i Prizrenit gjendet në lartësi mbidetare rreth 400 metra dhe disa maje të Sharrit kalojnë lartësinë 2000 metra të lartësisë mbidetare.

Klima e qytetit është e larmishme

Gjeografi i famshëm nga Aleksandria, Klaudius Ptolomeu (87-150) në veprën e tij “Gjeografia” përveç tjerash evidenton edhe rrugën që ka lidhur pellgun e Adriatikut me brendinë e Ilirisë.

Autori anonim nga Ravena e Italisë që jetoi kah fundi i shek. VII apo fillimi i shek. VIII, në veprën e tij “Cosmograpfia” (Përshkrimi i botës) në mesin e 5 mijë e 300 emrave gjeografikë të botës së asaj

kohe evidenton edhe Therandën.

Pasuria më e vlefshme e Prizrenit janë vlerat e tij të trashëguara nga shekujt e kaluar.

Këto vlera manifestohen me një arkitekturë të përsosur dhe strukturë të magjishme urbane në njërën anë dhe me traditat popullore të veçanta në anën tjetër.

Trashëgimia kulturore e Prizrenit është një kolorit i rrallë dhe paraqet omnibusin më atraktiv të identiteteve në Kosovë.

Prizreni është vendi ku takohen kulturat dhe qytetërimet e ndryshme, kontributi i të cilëve ka qenë qenësor që qyteti sot të jetë vlerë e qytetërimit botëror sa i përket trashëgimisë kulturore.

Prizreni gjithashtu është i njohur dhe në zhvillimin e tregtisë falë lidhjes së saj me rrugën e mëndafshit.

Në këtë rrugë qyteti ka bërë lidhshmëri tregtare me disa vende si : Prishtina, Shkupi,Tirana dhe Podgorica.

Qyteti ka luajtur rolin e lidhshmërisë së urës dhe të bujtinave (haneve).

Në të kaluarën zhvillimi i qytetit lidhet ngushtë me zhvillimet që merrte zejtaria, tregtia dhe bashkë me to rrjeti i komunikacionit.

Nëpër Prizren kalonte magjistralja e vjetër dardane që lidhte Lezhën me Nishin.

Kjo rrugë në mesjetë u quajt Via de Zenta.

Transporti i mallrave bëhej me karvanë.

Kalimi i kësaj rruge nëpër Prizren, degëzimi i saj nga qyteti në disa drejtime të tjera, qarkullimi, grumbullimi, shpërndarja e tërë atij malli nga Mesdheu e deri në Danub e anasjelltas i mundësoi Prizrenit të krijonte lidhje afariste me qindra fshatra e qytete, si dhe të nxirrte përfitime për vete.

Me shfaqjen e komunikacionit hekurudhor, rruga e vjetër e humb rëndësinë e dikurshme.

Kjo pati pasoja të rënda për qytetin.

ReligjioniReligjioni

Në Prizren jetojnë shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët dhe të tjerë.
Në mozaikun e përkatësive fetare të qytetarëve të Prizrenit dominon besimi islam, pastaj besimi katolik, ortodoks dhe besimet tjera.
Prizreni ka një numër të konsiderueshëm të xhamive, kishave ortodokse, katolike, pastaj  teqeve dhe tyrbeve, të cilat bashkëkrijojnë madhështinë dhe harmonin e arkitekturës fetare të Prizrenit.

Natyrë Natyrë

Prizreni bën pjesë në mesin e qyteteve natyrore, ku intervenimi i dorës së njeriut është mjaft i vogël në krahasim me bukuritë që i ka krijuar vetë natyra.
Mbi këtë kontekst të përkryer natyror dhe relief mjaft të përshtatshëm gjeografik, është ndërtuar e gjithë arkitektura dhe civilizimi shumëshekullor i Prizrenit.

Art dhe Kulturë Art dhe Kulturë

Prizreni është qyteti i artizanateve.
Zanatet  vazhdojnë paralelisht me tradicionalen, si p.sh. telat e argjendit qe ende punohen me një disiplinë dhe dashuri të zjarrtë.
Po ashtu punët me dorë me mostra të ndryshme të argjendit.
Nëse ndodheni në afërsi të një farkëtari mund të dëgjoni një zë i cili ju lë të mendoni se është zëri i ndonjë instrumenti muzikor që vjen nga çekani i  mjeshtrit që e rrah  këtë metal për t’i dhënë formën e duhur veglës.
Në Prizren mund të vërehen artizanate si: punime të filigranit, këpucarë, rrobaqepës, berberë etj., që do të thotë mund të takoheni me artizanatet tradicionale që vazhdojnë me heshtje të jetojnë në mesin e qytetarëve

Trashëgimi KulturoreTrashëgimi Kulturore

Qyteti i Prizrenit është i njohur që nga antikiteti si një vend unik në Ballkan për vlerat e trashëgimisë kulturore, të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme.
Falë pozitës së favorshme gjeografike, gërshetimit harmonik të kulturave gjatë historisë dhe një numri të monumenteve të trashëgimisë kulturore të të gjitha kohërave.
Qyteti i Prizrenit, si ndër qytetet më të bukura, e mban epitetin e “Qytetit muze”,”Muzeut nën qiellin e hapur” apo edhe të “Dubrovnikut të Ballkanit”.

 

Kuzhinë Kuzhinë

Prizreni është i njohur për përgatitjet nga brumi, ndër të cilat shquhen: pogaçja, toplia, pitajka me vezë, pitja dhe flija.
Gjellët tradicionale të Prizrenit përbëjnë esencën e kuzhinës prizrenase.
Po ashtu,  çervish me qofte, speca me gjizë, tavë Prizreni, dollma, musak sarma, fasule, gullash, burjan me mish, elbasan tavë,  janë gjellët më të shquara të Prizrenit.
Gjithashtu, Prizreni shquhet edhe  me lloje të ndryshme ëmbëlsirash si: sheqerpare, tespishte, bakllava, sytliaç, tullumba dhe hallva, të cilat janë ndër më të preferuarat.